Mbyllja e Merdares, MPJD ka një thirrje për mërgimtarët

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dalë me njoftim pas mbylljes së qarkullimit në Merdare, si rrjedhojë e barrikadave të vendosura nga serbët në anën e territorit të Serbisë.

Me anë të një komunikate për media, është bërë thirrje për mërgimtarët dhe qytetarët tjerë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare.

“Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë e MPJD-së:

Grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në #Merdarë.

Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve të fundit zyrtare në këtë drejtim./Fokusi.info/