Më shumë se një muaj nga shkarkimi ende nuk është emëruar asnjë ambasador i ri, MPJD hesht

Edhe pas më shumë se një muaji, prej se janë shkarkuar nga detyra 13 ambasadorë politikë të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës, ende asnjëri nga ta nuk është zëvendësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Më 20 maj të këtij viti, kur edhe ishte konfirmuar që presidentja e vendit, Vjosa Osmani kishte dekretuar propozimin e MPJD-së për shkarkimin e ambasadorëve, ministrja Donika Gërvalla, kishte deklaruar se emërimi i të rinjve do të bëhet brenda disa javësh.

Pavarësisht deklaratës së ministres Gërvalla, emërimi i ambasadorëve të rinj ende nuk është bërë.

Telegrafi është interesuar për procesin e emërimit të ambasadorëve, por Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk është deklaruar rreth kësaj çështjeje.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla / Foto: Ridvan Slivova

Gjatë një konference për medie, Gërvalla kishte thënë se do të vazhdojnë edhe me vendime tjera sa i përket shërbimit diplomatik, teksa bëri të ditur se përzgjedhje e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim.

“Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma. Reforma është e vonuar, kjo po përgatitet në mënyrë serioze”, deklaroi ajo në fund të majit, ku edhe falënderoi të gjithë ambasadorët politikë për punën qe kanë bërë.

Sipas një sqarimi që ka dhënë për Telegrafin, Emir Abrashi nga Demokracia Plus, ambasadorët e shkarkuar zëvendësohen nga diplomati tjetër me rangun më të lartë me shërbim në atë mision diplomatik, i cili merr detyrën e të ngarkuarit të përkohshëm me punë (Chargé d’Affaires ad interim). Mirëpo, Ministria e Punëve të Jashtme mund të vendosë të dërgoj një person tjetër me rangun Ambasador, nga radhët e diplomatëve të karrierës, për të kryer detyrën e të Ngarkuarit me Punë deri në dërgimin e Ambasadorit të ri (siç është rasti i dërgimit të Ambasadorit Valdet Sadiku, si i Ngarkuar me Punë në Uashington).

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

“Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në ligj.