Media europiane: Vaji i nënave gjakovare për djemtë e zhdukur

Media europiane “Gulf News Europe” ka zgjedhur që të përshkruajë dramën e nënave gjakovare, të cilave iu janë humbur djemtë në kohën e luftës me Serbinë. Nesrete Kumnova ka kaluar 2 dekadat e fundit të jetës së saj, duke kërkuar për trupin e djalit të vetëm. Djali i saj në atë kohë ishte vetëm 22 vjeç dhe aspironte të bëhej farmacist e quhej Albion.

Albioni u rrëmbye më 31 mars 1999, një javë pasi forcat e NATO-s ndërhynë në luftën mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Kumnova është kryetare e grave për personat e pagjetur dhe ajo thotë se në gjithë zonën janë 1 500 djem nënash që kanë humbur që në kohën e luftës dhe fati i tyre nuk dihet. Në shtëpinë e saj mban fotografinë e të birit, por edhe të djemve gjakovarë që kanë humbur gjatë asaj periudhe të zezë për shqiptarët e Kosovës.

Kumnova thotë se sa më shumë që koha kalon, aq më tepër i veniten shpresat se ndonjë ditë do ta gjejë djalin e vetëm. Në kohën që Thaçi dhe Vuçiç e të tjerët po tentojnë që të vendosin raporte normale mes Prishtinës dhe Beogradit, kjo nënë nga Gjakova shprehet se liderët më së pari duhet që të zbardhin krimet e luftës.

“Ata më së pari duhet të ulen me të gjithë strukturat përkatëse, të ndërhyjnë edhe ndërkombëtarët dhe të zbardhin krimet e luftës. Të gjenden bijtë tanë, të gjallë ose të vdekur. Të gjenden njerëzit e zhdukur, të vihet në vend drejtësia për gjithçka ka ndodhur. Ne e kuptojmë se Kosova ka nevojë të shkojë përpara, por jo duke mohuar krimet”, deklaron Kumnova.

Edhe pse kanë kaluar 2 dekada, Kosova vazhdon të vuajë nga moszhvillimi, është shteti më i varfër në Europë  i pranuar pjesërisht ndërkombëtarisht dhe i përhumbur nga fantazma e ish-liderit serb Slobodan Millosheviç. Shqetësimi real është se edhe grupet serbe në Bosnjë po zgjojnë sërish nacionalizmin serbo-madh.

Ndërsa Ferdonije Qerkezi, mban në shtëpinë e saj thuajse prej 20 vitesh portretet e bashkëshortit dhe të katër djemve të zhdukur në luftë. Qerkezi thotë se djali i vogël Edmondi ishte vetëm 14 vjeç kur u zhduk. Dy nënat i quajnë të tepruara deklaratat e liderëve politikë shqiptarë dhe serbë, që shprehen për pajtim pa gjykuar krimet e luftës.

BalkanWeb