Mehaj: Serbia mezi pret ta bëjë në Kosovë atë që Rusia po bën në Ukrainë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se deklarata e fundit e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, është arsye se përse Kosova duhet të pranohet sa më shpejt në NATO. Ai ka thënë se deklaratat kërcënuese të Serbisë dëshmojnë se Serbia mezi pret të realizojë në Kosovë skenarë të ngjashëm sikur ato të Rusisë në Ukrainë.

Të premten Vulini e cilësoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO si kërcënim për konflikt të armatosur me Serbinë.

Sipas Mehajt, kjo deklaratë duhet të shihet si alarm serioz për vendet anëtare të NATO-s dhe botën demokratike.

“Analogji absolute e qëndrimeve të Vulinit të Serbisë me ato të Putinit të Rusisë. Deklarata kërcënuese dhe tentim shantazhi i Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, pas kërkesës sonë për anëtarësim në NATO, është alarm shumë serioz për vendet anëtare të NATO-s dhe gjithë vendet e botës demokratike që sot janë rreshtuar në anën e duhur të historisë. Kërkesa jonë legjitime dhe shumë e arsyeshme për anëtarësim me proces të përshpejtuar në NATO, e bënë edhe njëherë plotësisht të qartë, qëndrimin e vërtetë dhe pretendimet e Serbisë mbi Kosovën”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Sipas tij, ka analogji absolute në mes pretendimeve absurde të Putinit për gjoja arsyen e agresionit mbi Ukrainën me pretendimet absurde të Vulinit për agresionin e mundshëm të Serbisë mbi Kosovën.

“Kjo është edhe një konfirmim i fuqishëm i arsyes, se pse duhet sa më shpejtë Kosova të anëtarësohet në NATO, sepse zgjatimi i Rusisë dhe Putinit mezi pret të realizojë skenarin e ngjashëm mbi vendin tonë. Qytetarët dhe miqtë e Kosovës pa dallim të të gjitha komuniteteve, të mos bien pre e kësaj gjuhe provokuese, kërcënuese dhe shantazhuese, sepse Republika e Kosovës është e sigurt, si dhe ka të qartë dhe të vendosur orientimin dhe ka trasuar rrugën drejtë dyerve të hapura të NATO-s dhe BE-së. Gjithashtu ftoj autoritetet vendimmarrëse të NATO dhe BE-së të dënojnë këtë qëndrim destruktiv të radhës së Vulinit, që nënkuptohet edhe qëndrim zyrtar i qeverisë serbe”, ka shtuar Mehaj.