Mehaj sërish fton qytetarët të kontribuojnë në Fondin për Siguri

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj shpreh mirënjohjen për siç tha ai përgjigjen e jashtëzakonshme për donacione në Fondin e Sigurisë, i cili u hap në fillim të këtij muaji.

Mehaj krahas kësaj ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në Fondin e Sigurisë, për ushtrinë dhe për të gjitha institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Ju e dëshmuat dhe po e dëshmoni si gjithmonë se jeni mbështetja kryesore e jona. Ju ishit gjithmonë dhe jeni edhe tani logjistika kryesore jo vetëm e Ushtrisë, por edhe e sigurisë, mbrojtjes, zhvillimit dhe forcimit të shtetit tonë”, ka thënë Mehaj.

Postimi i plotë:

Qytetarë të dashur,

Bashkëkombës nga mërgata kudo që jeni,

Miq ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës,

Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandëprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë.

Jemi të vetëdijshëm se ky projekt i yni i përbashkët me ju, ka tendenca të pengohet për çka jemi të detyruar të ju rikujtojmë:

• Paratë tuaja deponohen përmes llogarisë zyrtare të Fondit të Sigurisë, në Bankën Qendrore të Kosovës;

• Ky proces është nën mbikëqyrjen e Qeverisë përmes Ministrisë së Financave, respektivisht Thesarit të Shtetit;

• Donacionet dhe shuma e mjeteve janë plotësisht mbi bazën e vullnetit tuaj të lirë;

• Paratë depononi personalisht direkt në Fondin e Sigurisë;

• Asnjë individ, grup, shoqatë apo iniciativë nuk është e autorizuar të mbledhë para në emër të Fondit të Sigurisë.

Ju e dëshmuat dhe po e dëshmoni si gjithmonë se jeni mbështetja kryesore e jona.

Ju ishit gjithmonë dhe jeni edhe tani logjistika kryesore jo vetëm e Ushtrisë, por edhe e sigurisë, mbrojtjes, zhvillimit dhe forcimit të shtetit tonë.

Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit.

Donacionet tuaj janë motivi dhe forca jonë e përbashkët.

Ju faleminderit!