Meta takim me Dukën: Të rinisë futbolli, është vaksina më e mirë për koronavirusin

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur sot në një takim presidentin e federatës shqiptare të futbollit Armando Duka për të folur për rinisjen e futbollit, të ndërprerë nga koronavirusi.

Meta ndryshe nga qeveria që po nguron të shprehet, thotë se futbolli duhet të rinisë, pasi sporti në përgjithësi është vaksina më e mirë për koronavirusin. Sipas Metës me protokollin e duhur sanitar, që tani është bërë gati nga federata, topi duhet të nisë të rrotullohet sërish.

“Kënaqësi të prisja sot Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armand Duka, i cili më njohu me protokollin sanitar të përgatitur nga ekipi mjekësor i FSHF-së, sipas udhëzimeve të UEFA-s, për rifillimin e aktiviteteve futbollistike sa më parë të jetë e mundur.

Besoj se me përpjekje dhe mirëkuptim, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, edhe ne t’i rikthehemi në kushtet e reja dhe me protokollin e duhur sanitar, jetës futbollistike, por edhe sportive në vend.

Nuk ka vaksinë më të mirë për mbrojtjen e shëndetit se sa sporti,”-shkruan Meta.