Si e talli mbrëmë ambasadori gjerman Ivica Daçiqin për udhëtimet në Karaibe kundër Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara Christoph Heusgen gjatë debatit të mbrëmshëm në Këshill të Sigurimit ka thënë se Qeveria e re e Kosovës duhet t’i përkushtohet vazhdimit të dialogut me Serbinë duke e hequr taksën ndaj Serbisë.

Heusgen po ashtu ka bërë thirrje për forcimin e sundimit të ligjit ndërsa ka lëvduar procesin zgjedhor në Kosovë duke thënë se kanë qenë zgjedhje të lira dhe të drejta duke përmendur faktin që në zonat me shumicë serbe ka pasur frikësim të kandidatëve dhe atyre që s’kanë votuar për Lista Srpska.

Ai e ka tallur edhe Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Dacic që po lobon kundër Kosovës nëpër shtete të ndryshme duke tentuar t’i bindë ata që ta tërheqin njohjen e Kosovës.

“E di që Ministri I Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq ka dëshirë të udhëtojë në Karaibe por paratë e taksapaguesve serbë mund të shpenzohen më mirë se sa në kampanjën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”. Siç dihet Karaibet njihen si destinacion i preferuar i shumë turistëve për pushime dhe atje janë disa shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që Serbia shpesh i ka cak për të lobuar kundër Kosovës.