“Ministrat e rinj do të marrin 70 përqind të pagës për një vit, mandati i tyre është disa javor”

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka emëruar një ministre dhe një ministër në ri, shkruan IndeksOnline.

Ai ka emëruar Magbule Shkodrën ministre në detyrë të Zhvillimit Rajonal dhe Lulzim Rafunën si ministër të Financave.

Për këtë çështje, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se këto vendime të Haradinajt janë pa kurrfarë legjitimiteti politik.

Cakolli ka thënë se Shkodrës dhe Rafunës iu është mundësuar që të marrin 70% të pagës, edhe një vit pas muajit të fundit të mandatit të tyre, ndonëse mandati i tyre mund të jetë maksimalisht disa javor.

“Përderisa LVV dhe LDK ende vazhdojnë të jenë të barrikaduara në qëndrimet e tyre për arritjen e koalicionit dhe formimin e Qeverisë, kryeministri në dorëheqje vazhdon të marrë vendime që kanë implikime buxhetore përtej periudhës sa ai do të jetë në këtë pozitë.
Vendimet e fundit për emërimin e ministrave të rinj, përveç se pa kurrfarë legjitimiteti politik, do t’ua mundësojë këtyre të fundit që të marrin 70% të pagës, edhe një vit pas muajit të fundit të mandatit të tyre, ndonëse mandati i tyre mund të jetë maksimalisht disa javor”, ka shkruar ai në Facebook.

Cakolli për këtë gjendje politike në vend ka lënë fajtor Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Me mosveprimin e tyre, LVV dhe LDK bartin pjesën e tyre të fajit edhe për situatën e tanishme, duke i ofruar të gjithë hapësirën e veprimit një kabineti qeveritar që është në dorëheqje dhe që është shquar për vendime të paarsyeshme me kosto të lartë financiare”, përfundoi ai.