Ministria e Drejtësisë: Lëvizja Vetëvendosje po ndërhyn për të mbrojtur monopolin në fushën e noterisë

Ministria e Drejtësisë e konsideron të pa pranueshme dhe e cilëson se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë ndërhyrje të Lëvizjes Vetëvendosje e provimit të Noterisë.

Ata e cilësojnë ndërhyrjen si një përpjekje të hapur për të sabotuar një ndër reformat më të rëndësishme që mundësojnë qasje më efikase, më të shpejtë dhe sa më afër qytetarëve në shërbimet noteriale.

“Si një proces i realizuar ekskluzivisht mbi Ligjin për Noterinë dhe aktet tjera përcjellëse, organizimi i provimit të Noterisë dhe vlerësimet e komisionit profesional janë çështje ekskluzivisht profesionale dhe jo politike”.

“Shtimi i numrit të noterëve është në qendër të reformave të drejtësisë, për shkak se shërbimet noteriale aktualisht mungojnë në një pjesë të konsiderueshme të komunave të Republikës së Kosovës dhe qytetarët e vendit kanë nevojë për qasje të drejtpërdrejtë në këto shërbime sa më afër vendbanimit të tyre dhe me shpenzime sa më të vogla financiare”, thuhet në kumtesë.

“Një ndërhyrje e tillë e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë proces profesional, është në dobi ekskluzive të grupeve të interesit që për shkak të rrethanave të mungesës së numrit të mjaftueshëm të noterëve, kanë zhvilluar një praktikë të plotë të monopolit në shërbimet noteriale”.

“Rrjedhimisht, Vetëvendosje, duke u përpjekur të nxisë sabotimin e këtij procesi profesional, në fakt, po merr në mbrojtje me qëllim akterë të caktuar që kanë përfituar miliona euro nga monopolet e tyre në fushën e Noterisë. Ministria e Drejtësisë i siguron qytetarët se është e vendosur për të realizuar në plotni reformën që synon rritjen e numrit të noterëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe në të gjitha komunitetet e saj pa dallim”.

Në njoftim thuhet se pas përfundimit të këtij procesi profesional të provimit të Noterisë, do të fillojë faza e rekrutimit të tyre në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe në monitorim të ngushtë nga partnerët tanë zhvillimor.

“Me rekrutimin e noterëve të rinj, qytetarët e Republikës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, shërbimet noteriale do të kenë mundësi t’i marrin me një qasje më të shpejtë, më efikase dhe sa më afër vendbanimeve të tyre. Ministria e Drejtësisë e fton Lëvizjen Vetëvendosje që t’i japë fund kësaj tentative, sepse shembja e monopoleve është kërkesë e qytetarëve, kërkesë e partnerëve tanë zhvillimor dhe është në funksion të plotë të qasjes më të lehtë e më efikase në drejtësi”.