Ministria e Punëve të Jashtme i jep leje Gjuriqit ta vizitojë Kosovën

Dy zyrtarë serbë do të qëndrojnë në veri të vendit, në prag të asaj që po quhet ‘krizë humanitare’ e që sipas banorëve të kësaj ane po ndodh shkaku i vendosjes së taksës, ku po mungojnë produktet esenciale.

Lajmin për këtë vizitë e kanë konfirmuar për Gazetën Express në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe ministri i Arsimit serb, Mladen Sarceviq të premten pritet të vizitojnë Kosovën.

Të dy këtyre zyrtarëve iu është dhënë leje nga Ministria e Punëve të Jashtme. Këtë lajm e ka konfirmuar për Express, këshilltari i ministrit Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj.

“Po iu është dhënë leje Marko Gjuriqit dhe Mladen Saraceviq. Të dy këta do të qëndrojnë një ditë në Kosovë për një vizitë rutinore në Universitetin e Mitrovicës”, deklaroi ai.