Molliqaj, Abdixhikut: Po ia shtron Kurtit rrugën me lule për Asociacionin

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas deklaratës së fundit të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

Molliqaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Abdixhiku filloi me porosinë “të rrimë”, se pushteti rrëzohet vetvetiu.

“Abdixhiku po shënon “progres”. Filloi me porosinë ‘të rrimë’, duke mos bërë asgjë se kështu pushteti rrëzohet vetvetiu. Tash e paska bërë një shkëputje, një goxha hop. Bëje Asociacionin Albin!, – po thotë Lumiri. Shihe logjikën: e jap këshillën unë, ia hapi rrugën këtij, e bëj edhe një plus kah Dragodani, dhe presim pastaj se ky qe po e realizon këshillën time publike do të dëmtohet. Kjo me siguri se nuk është analizë, por ç’të thuash?! Duket se kompleksi “arsyeton” gjithfarë absurdi”, ka shkruar Molliqaj.

Ai tutje ka thënë me ironi se kreu i LDK-së mundet të autorizohet nga Kurti dhe të nënshkruajë në vend të tij.

“Konkurrenca negative s’ka të ndalur. Mundet Lumiri edhe përtej kësaj. Ta zëmë, pse mos me ia lypë një autorizim kryeministrit dhe të shkruajë e të nënshkruajë në vend të tij.” – ka shkruar ndër të tjera Molliqaj.

I pari i PSD-së ka thënë se do t’i kërkohet përgjegjësi opozitës.

“Opozitës aktuale do t’i kërkojmë përgjegjësi. Përgjegjësi për qëndrimet e dëmshme dhe mungesën fare të qëndrimeve. T’ia shtrosh me lule këtij kryeministri rrugën e Asociacionit i bën dy dëme: vetë dëmin e Asociacionit pa njohje; dhe fundi i këtij procesi është uvertura e një faze të re autoritarizmi. Tash që po bëhet i dëgjueshëm jashtë, më shumë dorë e fortë do t’i lejohet brenda. Gjithandej, këtë tregim e kemi parë. Ju jeni me faj për ketë skenar që po fillon”, ka shkruar ai.