Molliqaj: Heshtja përballë padrejtësive të Speciales na bën edhe neve fajtorë, do të gjykohemi nga brezat e ardhshëm

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj thotë se heshtja përballë padrejtësive që po i bëhet ish-krerëve në Gjykatën Speciale na bën edhe neve fajtorë.

Molliqaj përmes një shkrimi në “Facebook” thekson se, sot, nesër, historia dhe brezat e ardhshme do na gjykojnë ne për heshtjen tonë, por për dallim nga UÇK-ja, ne, po nuk e ngritëm zërin për t’i mbrojtur vlerat, simbolet dhe përpjekjen për liri, e meritojmë gjykimin tonë.

“Sot jemi të lirë, sepse për të luftuan ata që sot po dënohen padrejtësisht. Edhe çlirimtarët meritojnë liri”, thuhet tutje në postimin e tij.

Shkrimi i plotë:

“Çfarë kohë janë këto, kur një bisedë për lisa është thuajse krim, sepse nënkupton heshtjen për kaq shumë padrejtësi.”, shkruante Bertolt Brecht.

Të heshtim sot, kur padrejtësia speciale përndjekë e gjykon çlirimtarët tonë, na bën edhe ne fajtorë. Nëse jo sot, nesër, historia dhe brezat e ardhshme do na gjykojnë ne për heshtjen tonë, por për dallim nga UÇK-ja, ne, po nuk e ngritëm zërin për t’i mbrojtur vlerat, simbolet dhe përpjekjen për liri, e meritojmë gjykimin tonë.

Nesër do të jetë vonë! Është obligim i secilit të mos heshtë, sot dhe tash, ballë padrejtësisë ndaj historisë tonë. Njollosja e luftës çlirimtare është çrrënjosje e të ardhmes tonë nga themelet tona; është shkëputje nga historia e rezultati do jetë një e ardhme e padefinuar plotë pasiguri dhe si top i politikave rajonale e ndërkombëtare.

Sot jemi të lirë, sepse për të luftuan ata që sot po dënohen padrejtësisht. Edhe çlirimtarët meritojnë liri!