Molliqaj për paraqitjen e Kurtit në ballkonin e qeverisë: Qëllimisht po e promovon vetën si diktator

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot me qëllim ka bërë paraqitje të një lideri autoritar.

“Ai e ka ditur që kjo paraqitje do të krahasohet me paraqitje të diktatorëve e liderëve autoritarë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ka zgjedhur që ta bëjë. Sepse ai edhe me vendime e edhe me simbolika, po e promovon vetën si të tillë.”, ka shkruar Molliqaj.

Më tutje ai ka shkruar se Kurti nuk po e mohon më autoritarizmin duke thënë se ai vet po e promovon atë publikisht.

Ky është postimi i plotë i Molliqajt:

Albin Kurti nuk e bëri sot paraqitjen ”simbolike” prej një lideri autoritar gabimisht apo pa i menduar mirë efektet e saj. Veproi me paramendim.

Ai e ka ditur që kjo paraqitje do të krahasohet me paraqitje të diktatorëve e liderëve autoritarë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ka zgjedhur që ta bëjë. Sepse ai edhe me vendime e edhe me simbolika, po e promovon vetën si të tillë.

E kemi thënë edhe më herët: një prej dallimeve në mes pushtetit popullist me mendësi totalitare dhe pushtetit të vjetër, është fakti që i pari i bën të gjitha veprimet e të vjetrit, veçse tash publikisht dhe pa i mohuar. Punëson militantë partie nëpër borde. Publikisht. Duke e arsyetuar. Ushtron presion ndaj Gjykatës Kushtetuese. Prapë publikisht dhe pa e fshehur.

Sot, Albin Kurti nuk po e mohon më autoritarizmin. Tash ka kaluar në fazën e promovimit të tij. Në të njëjtën mënyre si të gjithë liderët tjerë autoritar. Publikisht.