Mosvotimi i rezolutës kundër shtrenjtimit të rrymës, opozita bojkoton seancën e Kuvendit

Deputetët e PDK-së , LDK-së dhe AAK-së kanë lëshuar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të votimit të rezolutës kundër shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri tha se nuk do të vazhdojnë në këtë seancë.

“Kuvendi pat kuorum të mjaftueshëm për të vendosur që këto bllok tarifa të propozuara nga ZRRE-ja sot të votohen kundër përmes kësaj rezolute. Ne si parti opozitare deklaruam votën tonë, ndërkaq mazhoranca abstenoi nga votimi e që është e papranueshme. Nuk vazhdojmë të qëndrojmë më në këtë seancë. Nuk do të mundësojmë vazhdimin më tej të kësaj seance sepse po i bëhet dëm të madh qytetarëve”, tha Tahiri, duke shtuar se nuk ka çështje tjetër më të rëndësishme se hedhja poshtë e këtyre bllok tarifave.

E deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se mos votimi i kësaj rezolute nga mazhoranca tregoi se është pro shtrenjtimit enorm të rrymës.

“Nuk ka interes më madhor se tema e energjisë dhe pandemia. Do të përdorim të gjithë mekanizmat demokratik që parandalojnë varfërinë e këtij populli nga papërgjegjësia e kësaj qeverie popullsitë”, tha Zemaj.

Seancën e lëshuan edhe deputetët e AAK-së. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri tha se gjendja në të cilën jemi sot në raport me energjinë është gjendje e jashtëzakonshme, ndërkaq sjellja e qeverisë është e zakonshme

“Kemi ofruar një rezolutë ku do të ndihmonim vendimmarrjen e ZRRE-së po që se do ta votoni. Ajo që pamë sot ishte një abstenim. Mendoj që qasja është shumë e papërgjegjshme dhe që këtë çështje ta lëmë në nivel të komenteve, është papërgjegjësi totale dhe ikje nga besimi qytetarë që kjo qeveri e ka marrë”, u shpreh Tahiri, duke thënë se si grup parlamentar do të dalin nga seanca.