Moti nesër dhe ditëve në vazhdim, ulje e ndjeshme e temperaturave

Nesër në Kosovë do të kemi ndryshim të kushteve sinoptike. Fillimisht do të kemi fuqizimin e erërave veriore të cilat do të kushtëzojnë ulje të temperaturave, pastaj do të kemi edhe shtim gradual të vranësirave, ndërsa reshjet do të jenë lokale dhe përgjithësisht të pakta.

Fronti i ftohtë nesër përpos Kosovës do të përfshijë edhe veriun e Shqipërisë, Malin e Zi dhe disa pjesë të Maqedonisë, ndërsa me kalimin e kohës deri të enjtën fronti do të përfshijë tërë rajonin. Pra, shumë pjesë të Shqipërisë dhe Maqedonisë edhe nesër do të kenë mot të mirë dhe të nxehtë derisa fronti i ftohtë të arrijë edhe atje. Gjatë kalimit të frontit mund të ketë edhe erëra të fuqishme veriore të cilat pastaj do të dobësohen gradualisht.

Pasnesër në tërë rajonin do të kemi mot të vranët dhe mjaft të freskët, vende-vende edhe të ftohtë. Në Kosovë reshjet do të jenë lokale, pra në disa rajone do të ketë reshje, kurse disa rajone ende do të mbesin pa reshje atmosferike. Shqipëria të enjtën do të përfitojë reshje atmosferike, megjithatë nuk do të jenë të mjaftueshme për zbutjen e thatësisë së madhe dhe të gjatë. Reshje do të ketë në shumicën e territorit shqiptar, por reshjet më të mëdha priten në qendër të Shqipërisë.

Nga e premta në tërë rajonin do të kemi kthjellim të motit por do të mbetet mjaft freskët dhe në viset-kondirore-malore edhe ftohtë.

Ngritje të temperaturave do të kemi nga dita e diel.

Pra, për fund nga nesër (Kosovë) përgadituni për një periudhë kohore mjaft të freskët dhe të ftohtë. Netët dhe mëngjeset do të jenë të ftohta, ndërsa ditët të freskëta. Nga e diela pritet ngritja e temperaturave në vlerat minimale dhe maksimale në tërë rajonin./Meteoballkan