Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë për këtë periudhë kohore, me erëra të lehta dhe mesatare jugore. Temperaturat maksimale pritet të sillën nga 26 deri në 29 gradë Celsius.

Në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë Veriore sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë me temperatura maksimale deri në 30 gradë Celsius në disa rajone.

Nesër pothuajse në tërë rajonin na pret mot i ngjashëm, me rreze diellore dhe mjaft i nxehtë për këtë periudhë kohore. Në Mal të Zi priten rrebeshe intensive lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë ku mund të ketë edhe vërshime. Pasdite rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë priten edhe në veri dhe veriperëndim të Shqipërisë si dhe ka mundësi që të ketë edhe në veriperëndim të Kosovës.

Të hënën do të vazhdojë të jetë mjaft nxehtë. Pasdite në Kosovë, veri të Shqipërisë dhe Maqedoninë Veriore priten rrebeshe kryesisht të izoluara shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër, ndërsa në Mal të Zi priten rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë. Gjatë natës në të martën dhe të martën priten rrebeshe të herëpashershme shiu në shumicën e territorit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, vende-vende intensive. Temperaturat të martën do të shënojnë ulje./Meteoballkan