Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme. Mund të ketë ndonjë rigë të dobët shiu në ndonjë rajon. Erërat do të fryjnë nga drejtimi i jugperëndimit të cilat nganjëherë mund të jenë të fuqishme.

Në Shqipëri sot pritet të mbajë mot me alternime vranësirash dhe intervaleve kohore me diell. Pasdite vonë dhe në mbrëmje në veriperëndim, veri dhe disa vise bregdetare priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Në Maqedoninë Veriore sot pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Do të jetë relativisht nxehtë, ndërsa në Mal të Zi gjatë ditës priten riga të dobëta shiu, kurse në mbrëmje në jug të vendit priten rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të enjten në tërë rajonin na pret mot i ngjashëm gjatë ditës, me alternime vranësirash dhe intervaleve kohore me diell si dhe me ndonjë rigë të dobët lokale shiu. Pasdite vonë, në mbrëmje dhe gjatë natës pritet rrebeshe të fuqishme shiu, vende-vende me vetëtima dhe bubullimë të cilat në Shqipëri pritet të shkaktojnë përmbytje. Edhe në Kosovë gjatë natës priten reshje të dendura shiu të cilat mund të shkaktojnë vërshime afatshkurtra. Reshje më intensive priten në perëndim dhe jug të Kosovës.

Nga e premtja zvogëlohen dhe ndërpriten gradualisht reshjet.

Për fundjavë na pret mot me alternime vranësirash, intervaleve kohore me diell dhe rigave të dobëta të shiut. Temperaturat do të shënojnë ulje graduale. Në viset malore priten reshje të dobëta bore./Meteoballkan