Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira. Vende-vende priten riga kryesisht të dobëta lokale shiu.

Edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira. Vende-vende priten riga lokale shiu.

Nga e shtuna na pret mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat do të sjellin riga lokale shiu. Intensiteti i reshjeve nuk do të jetë i lartë, përpos në disa vise në Shqipëri ku mund të ketë rrebeshe afatshkurtra shiu me vetëtima dhe bubullimë. Nga e diela priten ulje të temperaturave dhe në viset e larta malore priten reshje të dobëta bore.

Nga e hëna pritet të kemi stabilizim të motit dhe ndërprerje të plotë të reshjeve atmosferike. Netët dhe mëngjeset do të jenë mjaft të ftohta, me mundësi për mjegull, vranësira të ulëta dhe ngrica në disa rajone, kurse ditët do të jenë kryesisht stabile, por të freskëta./Meteoballkan