Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i thatë. Ka mundësi që të ketë ndonjë rigë të dobët shiu në mëngjes, gjegjësisht ndonjë fjollë të dobët bore në viset malore.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot me vranësira dhe intervale kohore diellore pasdite në Shqipëri. Në jug dhe jugperëndim të Shqipërisë në mëngjes priten reshje kryesisht të dobëta shiu.

Të enjten pritet kthjellim i plotë i motit, por mëngjesi do të jetë i ftohtë dhe me mundësi për ngrica të dobëta. Në mbrëmje në Kosovë mund të kemi mjegull, ndërsa në viset tjera pritet mot kryesisht i kthjellët.

Të premten do të fillojnë të fryjnë erëra të ftohta nga veriu, për shkak të krijimit të një cikloni të fuqishëm mes Afrikës Veriore dhe Italisë. Si pasojë në drejtim të rajonit tonë do të vije fronti i ftohtë në kuadër të këtij cikloni. Ky front i ftohtë gjatë të shtunës do të sjellë reshje të dobëta shiu dhe bore në Kosovë. Në viset kodrinore-malore mund të krijohen edhe shtresa simbolike, ndërsa në viset tjera lokalisht priten fjolla të herëpashershme dëbore. E kemi fjalën për viset tona kontinentale në Kosovë. Cikloni i largët do të sjellë reshje simbolike shiu edhe në disa vise të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në viset kodrinore-malore priten reshje simbolike bore./Meteoballkan