Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe ende i ngrohtë për këtë periudhë kohore. Gjatë ditës do të fillojnë të fryjnë erëra veriore dhe verilindore të cilat do të ndikojnë në uljen graduale të temperaturave. Pasdite vonë ose në mbrëmje do të ketë shtim të vranësirave dhe rrallë në ndonjë rajon mund të ketë ndonjë rigë shiu ose fjollë dëbore. Erërat në disa rajone pritet të arrijnë shpejtësinë afërsisht rreth 45km/h., pra asgjë për tu shqetësuar.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe mjaft i ngrohtë për këtë periudhë kohore. Pasdite vonë dhe në mbrëmje në disa rajone do të fillojnë erërat veriore dhe verilindore të cilat do të ndikojnë në ulje të lehta të temperaturave. Erërat më të fuqishme priten në veri-qendër të Shqipërisë dhe atë në viset kodrinore-malore.

Nga e diela na pret mot më i freskët, me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Temperaturat do të kthehen në vlerat normale për këtë periudhë kohore dhe do të sillën nga 8 deri në 12 gradë Celsius. Në Shqipëri më nxehtë. Netët dhe mëngjeset do të jenë me ngrica të dobëta në viset tona kontinentale./Meteoballkan