Moti sot dhe ditëve në vijim

Sot në Kosovë do të mbajë mot plotësisht i vranët, herê pas here me reshje bore, shqote, shiu dhe shi të akullt varësisht nga temperaturat. Kjo do të ndodhë për shkak të udhëtimit të çuditshëm ti ciklonit nga Adriatiku jugor në drejtim të Adriatikut qendror. Normalisht do të duhej të ishte e kundërta dhe sot do të kishim atmosferë vetëm dimërore. Kjo trajektore e ciklonit do të ngritë temperaturat dhe në këtë mënyrë në disa rajone priten reshje shiu pas reshjeve të borës.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje shiu. Në vise malore reshje shqote dhe bore. Vende-vende priten rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Ditëve të ardhshme do të kemi depërtimin e një mega-cikloni në Evropë i cili do të ndikojë edhe në motin në rajonin tonë duke shkaktuar ngritje të temperaturave dhe erëra jugore. Është pikërisht ky mega-ciklon “fajtori” kryesor i cili nuk lejojë depërtimin e masave të ftohta-siberike ajrore gjatë këtij inkursioni të ajrit polar në rajonin tonë, por me rëndësi u çmallëm pak me reshje të dendura bore. Sidoqoftë, priten intervale kohore me diell dhe herë pas here vranësira dhe reshje shiu. Reshje bore vetëm nëpër male. Në disa vise në Shqipëri dhe në veriperëndim, veri dhe perëndim të Kosovës priten reshje intensive shiu herë pas here. Në viset tjera reshje më sporadike shiu./Meteoballkan