Murati: Fryma e lidhjes thërret që Kosova Lindore të jetë pjesë e shtetit të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shtylla politiko-ushtarake mbi të cilën është ndërtuar projekti i pavarësisë shqiptare.

Ai shtoi se që atëherë u vendos një parim i rëndësishëm që ka përcjellë lëvizjen shqiptare për pavarësi, liri e Bashkim Kombëtarë.

Sipas Muratit, thirrja e sotme për ruajtjen e integritetin territorial të Kosovës është thirrje për mbetjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore nën Serbi në momentin kur janë krijuar mundësitë reale që ata të jenë me Kosovën.

Postimi i plotë:

Fryma e Lidhjes thërret që të punohet që Kosova Lindore të jetë pjesë e shtetit të Kosovës

Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shtylla politiko-ushtarake mbi të cilën është ndërtuar projekti i pavarësisë shqiptare. Prej atëherë është vendosur një parim i rëndësishëm që ka përcjell lëvizjen shqiptare për pavarësi, liri e bashkim kombëtar se shteti shqiptar duhet të krijohet aty ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale. Projekti shqiptar ka pësuar ulje e ngritje, por është ndër projektet politike më konsistente që një popull i ndarë dhe me një pjesë të pushtuar ka pasur. Liria e Kosovës dhe pavarësia e saj me të gjitha telashet dhe të metat e veta është pjesë e këtij projekti politik. Konsolidimi i këtij projekti është zgjidhja e problemeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka rrugë tjetër për të vazhduar rrugën e rilindësve përveç zgjidhjes së tij përmes ripërcaktimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë e që është edhe ripërcaktim përfundimtar në mes të shqiptarëve dhe serbëve dhe përfundim i konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan. Thirrja sot në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës është thirrje për mbetjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore nën Serbi në momentin kur janë krijuar mundësitë reale që ata të jenë me Kosovën. Është thirrje për një Kosovë jofunksionale e me ndikim nga Beogradi dhe thirrje e pandershme që ua bëjmë shqiptarëve në Kosovën Lindore se ju nuk na nevojiteni dhe mirë jeni nën Serbi. Kjo është në kundërshtim me frymën e Lidhjes.