Murati pas situatës në Afganistan: Kosova të dalë nga status quo’ja, është e paqëndrueshme

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar pas situatës së krijuar në Afganistan duke konstatuar se së bashku me Nagorni Karabah dhe forcimin e Kinës e rikthimin e Rusisë si aktor global dëshmohet se status quot janë të paqëndrushme dhe ka dhënë komente edhe mbi çështjen e Kosovës.

Murati me anë të një reagimi në Facebook ka thënë se “dalja nga një status quo në planin ndërkombëtar dhe të raporteve me Serbinë është e domosdoshme”.

Murati tutje thotë se Kosova duhet të kuptojë se nëpërmjet dialogut me Serbinë duhet t’i zgjedhë problemet e mbetura, përfshirë edhe Kosovën Lindore.

Ai më tutje thotë se Kosova s’duhet të frikësohet nga dialogu.

“Krahas dhe në funksion edhe të dialogut dhe pozicionit tonë duhet forcuar unitetin e brendshëm, funksionalizuar shtetin e Kosovës, sidomos duhet forcuar sundimin e ligjit, duhet rritur koordinimin me Tiranën dhe duhet punuar afër me aleatët tanë. Krejt këto ndryshime gjeopolitike duhet të na bëjnë të vetëdijshëm që si hap të parë duhet konsoliduar shtetin e Kosovës.”, shkruan Murati.

Ky është shkrimi i tij:

Status quot janë të paqëndrueshme

Zhvillimet dramatike të këtyre ditëve në Afganistan, ato të paradokohshmet në Nagorni Karabah, e mbi të gjitha ndryshimet gjeopolitike me forcimin e Kinës dhe rikthimin e Rusisë si aktor global, dëshmojnë një gjë: status quot janë të paqëndrueshme. Duke i lexuar drejt këto zhvillime, në rastin tonë duhet ta kuptojmë se dalja nga një status quo në planin ndërkombëtar dhe të raporteve me Serbinë është e domosdoshme.

Nuk ka rrugë tjetër në këtë drejtim veç të kuptuarit se duhet shfrytëzuar dialogun me Serbinë për t’i zgjidhur problemet e mbetura me të, përfshirë çështjen e Kosovës Lindore. Nuk duhet të frikësohemi nga dialogu, por duhet ta shfrytëzojmë atë për të mirën e përgjithshme. Krahas dhe në funksion edhe të dialogut dhe pozicionit tonë duhet forcuar unitetin e brendshëm, funksionalizuar shtetin e Kosovës, sidomos duhet forcuar sundimin e ligjit, duhet rritur koordinimin me Tiranën dhe duhet punuar afër me aleatët tanë.

Krejt këto ndryshime gjeopolitike duhet të na bëjnë të vetëdijshëm që si hap të parë duhet konsoliduar shtetin e Kosovës. E si hap të dytë na duhet bashkimi (e jo përçarja) me Shqipërinë, jo vetëm si e drejtë historike por mbi të gjitha në funksion të rritjes së sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik në një botë që po ndryshon.