Murati për idenë e ripërcaktimit të kufijve: Do të përfundonte me bashkim Kosovë – Shqipëri

Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka thënë se parimi i reciprocitetit mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë këtu në krijimin e asociacioneve, padyshim se herët a vonë çon në ripërcaktim të kufijve.

“As Kosova e as Serbia s’do të pranojnë zgjidhje që mbetet peng e njëra-tjetrës. Në fund të ditës nëse pajtohen për zgjidhje reciproke të përkohshme, ajo në një situatë tjetër, nëse jo sot, prapë do të çojë nesër te ripërcaktimi i kufijve. Ripërcaktimi i kufijve që ne e kemi refuzuar si shoqëri, pa e analizuar asnjëherë”, ka thënë Murati në Interaktiv të KTV-së.

Murati ka thënë se shumë e kanë quajtur ide serbe, porse kështu kishte pasur zëra edhe për kryengritjen e armatosur e për luftën e UÇK-së fillimisht.

“Në një moment të caktuar ajo ide e ripërcaktimit të kufijve, u krijuan rrethana politike, ku edhe amerikanët e hapën derrën me u diskutuar ajo çështje. Nuk ishte vetëm administrata Trump, por kishte edhe struktura tjera që përkrahën këtë ide. Po flas edhe në State Departament, e organizata të caktuar me ndikim, që kanë lidhje me demokratët në SHBA. Arsyeja pse ndryshoi politika e SHBA-së dhe pse u hap dera për t’u ripërcaktuar kufijtë, ishte se u pa se mund të ketë konflikt me Rusinë, rritje të peshës së Rusisë. Kështu që Amerika përpiqej për t’i shuar dhe zgjidhur problemet në Ballkan. Po ashtu ripërcaktimi i kufijve, pjesë e projektit ka qenë që në një rrethanë të caktuar të përfundojë me union Kosovë – Shqipëri. Ishte përfundim i natyrshëm i kësaj”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se Gjermania ishte hezituese, pasi i druhej problemeve në Bosnjë-Hercegovinë, porse reagimi në Kosovë krijoi opinion negativ, që ndikoi edhe në sfera ndërkombëtare.

Murati thotë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sado që ka merita për guximin që e shtroi këtë ide, po ashtu duhet kritikuar për mënyrën se si e shtroi. Murati thotë se është dashur të bisedohet brenda sferës politike vendore para se të shtrohej. Ai madje ka thënë se shumë janë frikësuar se nëse arrihet bashkimi Kosovë – Shqipëri, atëherë Thaçi do të bëhej i pamposhtshëm.

“Mënyra se si e shtroi e ka dëmtuar. Në radhë të parë ideja është dashur të përpunohej mirë në skenën politike në Kosovë. Të përpunohej brenda në PDK, pasi brenda partisë s’kanë qenë përkrahës të idesë së Thaçit. Është dashur të bisedohet me kryeministrin Haradinaj atë kohë. Të bisedohet me parti tjera. Është dashur pastaj strategji tjetër se si të plasohet në media. Mënyra se si është shpërfaqë, ka lënë shijën se Thaçi po e do këtë vetë, ishte frikë e një pjese të skenës politike në Kosovë, se me këtë zgjidhje, që çon në union Kosovë – Shqipëri, z. Thaçi bëhet i pamposhtur”, tha Murati.

Murati: Reciprociteti duhet të jetë në qendër të dialogut, jo njohja

Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim ka thënë se njohja reciproke në qendër është diçka që kryeministri, Albin Kurti e ka përmendur shumë shpesh.

Ai ka thënë Kurti dhe Qeveria do të përballen me presionin për krijimin e asociacionit të komunave serbe.

Murati ka thënë se konstatimi i Gjykatës Kushtetuese ka gjetur që asociacioni duhet të bëhet.

“Për aq sa e njoh Kurtin, kam përshtypjen që ai nuk do ta pranojë asociacionin për shkak se nuk është populiste. Edhe nëse formohet asociacioni Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Ne duhet t’i kërkojmë Kurtit që nëse është kundër një projekti, ta shpërfaqë një projekt tjetër”, ka thënë ai.

Sipas tij, njohja nuk duhet të jetë në qendër të dialogut, por duhet të jetë reciprociteti.

Murati ka thënë se Kosova ka probleme me veriun, dhe që prej fillimit të dialogut flitet për çështje të brendshme të Kosovës.

Ai ka thënë se çfarëdo zgjidhje që kërkohet për serbët në veri, duhet të kërkohet edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore.

“Kam frikën që nëse ne orientohemi vetëm te njohja, atëherë të gjitha zgjidhjet do t’i kemi vetëm për Kosovën. Do të kemi asociacion. Ne edhe mund të bëhemi anëtar të OKB-së, por ka vende anëtare në këtë organizatë që nuk kanë asnjë funksion. Të humbur në këtë luftë politike, jemi orientuar në diskursin e njohjes. Mund të na vijë njohja në një Kosovë funksionale”, ka thënë ai.

Murati: Marrëveshja e dy Gjermanive do ta defunksionalizonte Kosovën

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se nuk duhet pritur mrekulli nga takimet dhe nismat si Brdo-Brioni.

Sipas tij, e gjithë fryma e konkluzioneve ishte stabiliteti dhe paqja, kjo sipas tij, edhe për shkak të gjendjes aktuale me Rusinë dhe Ukrainën.

Murati ka thënë se shqiptarët nuk kanë zgjidhje tjetër përveç Bashkimit Evropian, duke shtuar se Serbia ka edhe Rusinë e shumë shpesh ka edhe Kinën.

“Dëgjova se në fillim të nëntorit do të ketë takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ishte indikativë që në letrën e Macronit e Scholzit nuk u përmend njohja e ndërsjellë. E dimë që të dy liderët janë të interesuar që të ketë paqe e zgjidhje. Nga Kurti nuk dëgjuam se çfarë u fol. Vuçiqi tha se është ofruar një kornizë e re e bisedimeve. Këto ditë është ofruar edhe modeli i dy Gjermanive. Duhet ta kemi të qartë se kur flitet për këtë model, nuk flitet për njohje të dyanshme. Nëse imponohet një model i tillë, ku Serbia nuk e njeh Kosovën, por i hapë rrugë Kosovës për njohje në disa organizata, një marrëveshje e tillë mund të jetë një lloj status-quo e re”, ka thënë ai.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë nuk do t’i zgjidhë problemet.

Ai ka thënë se kjo do të nënkuptonte defunksionalizmin e Kosovës, duke shtuar se do të krijonte rrethana të favorshme që indirekt ta destabilizojë Kosovën.

Murati ka thënë se në Kosovë dialogu është trajtuar si i imponuar nga jashtë dhe jo si mekanizëm për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas tij, Kurti nuk ka ofruar asnjëherë alternativa për dialogun.