Musliu dhe Kurti replikojnë për veteranët: S’bëhet fjalë për mospunë por për mospajtim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kanë replikuar në seancën e sotme për veteranët dhe largimin e tyre nga përfitimet e pagave minimale.

Musliu e pyeti kryeministrin se ku ka mbetur pastrimi i listave të veteranëve dhe pse ata janë larguar nga paga minimale.

“A mund të na thoni ku mbeti procesi për të cilin u bë shumë zhurmë para një viti, për çka veteranët kishin protestuar me orë të tëra para Kuvendit?”, pyeti Musliu.

Kurti iu përgjigj se kjo çështje është e diskutuar, raporton Arbresh.info.

Madje ai tha se ende nuk ka marrë përgjigje nga veteranët për propozimin e tij që të mos futen në pagën minimale.

“Kemi diskutuar me veteranët për pastrimin e listave dhe mbështetjen e dinjitetshme për ata që thanë kaq shumë për vendin. Ne e kemi ofruar propozimin tonë që të mos futen në pagën minimale por të llogariten ndryshe. S’kemi marrë ende përgjigje nga ana e tyre, por në anën tjetër e kemi të pamundur për shkak të ligjit që na pamundëson të manovrojmë për këtë situatë”, tha Kurti.

Musliu e pyeti serish Kurtin se kur ka pasur takimin e fundit me veteranët.

“Kurti nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje për veteranët. Kjo i bie që ata duhet të pajtohen siç thotë ky, e jo siç duhet të jetë”, tha Musliu.

Kreu ekzekutiv, duke ikur nga përgjigja ka thënë se ka pasur shpesh takime por sipas tij, nuk bëhet fjalë për mospunë për mospajtim.

“Nuk bëhet fjalë për mospunë por për mospajtim. Ne kemi bërë shumë takime derisa kemi marrë vesh që nuk po pajtoheni. Pensioni i veteranëve është shkëputur nga paga minimale qysh nga viti 2017 kur atëherë ka qenë në pushtet partia së cilës ju i takoni”, tha ai.

Në fund, deputetja Musliu iu drejtua kryeministrit duke thënë se ai nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje për veteranët dhe sipas saj, kjo i bie që ata duhet të pajtohen sic thotë Kurti, e jo siç duhet të jetë./Arbresh.info/