Musliu: E kemi një presidente e cila e luan rolin e asistentes teknike të Albin Kurtit

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka hedhur kritika në drejtim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Musliu ka thënë se roli i presidentes së vendit përcaktohet me Kushtetutë, por që sipas saj, presidentja Osmani në asnjë rrethanë nuk e ka respektuar rolin e saj dhe se ka heshtur e ka pranuar si të mirëqene çdo gjë që ka ndodhur në vend. Ajo ka theksuar se Osmani e ka luajtur rolin e asistentes teknike të kryeministrit Albin Kurti.

“Në vend që të kemi një presidente e cila do të unifikonte popullin në situata normale e me theks të veçantë në situata krizash siç ka qenë kriza e 24 shtatorit, ne e kemi një presidente e cila e luan rolin e asistentes teknike të Albin Kurtit. Roli i presidentit apo i presidentes është shumë qartë përcaktohet në Kushtetutën e vendit prandaj ajo në as një formë nuk e ka respektuar rolin e saj. Ajo ka heshtur dhe ka pranuar si të mirëqene çdo gjë që ka ndodhur në këtë vend”, tha ajo për EO.

Musliu tha se presidentja ka heshtur në shumë probleme të cilat ka kaluar Kosova gjatë viti 2023, që sipas saj, kjo heshtje e ka bërë atë që të mos jetë kredibile në pozitën që ka.

“Loja me Prokurorin e shtetit, heshtja e saj ndaj sulmeve që ju kanë bërë gazetarëve të Kosovës, heshtja e saj me ditë të tëra për veriun, heshtja saj për skandalet diplomatike që po ndodhin çdo ditë. Heshtja saj ndaj kërkesave të Policisë së Kosovës e bënë presidentët të mos jetë kredibile, mos të flas se lista është e gjatë e problemeve për të cilat presidentja është dashtë ta jap mendimi dhe qëndrimin e saj. Të unifikoj popullin, të thërras edhe qeverinë që të reflektoj ndaj kërkesave të qytetarëve, ajo përkundrazi ka qenë një patericë e Albin Kurtit”, tha ajo.