Musmurati: Grushtet ia kemi lënë LDK-së, në PDK zgjedhjet kaluan pa incidente

Partia Demokratike e Kosovës para disa muajsh shpalli zgjedhjet e brendshme partiake në të gjitha degët, nëndegët dhe seksionet.

Gjatë kësaj periudhë, kryetari aktual i PDK-së, Kadri Veseli vizitoi shumë komuna e nëndegë të partisë, ku foli për vizionin e PDK-së, shkruan Indeksonline.

Tani ky proces i brendshëm ka përfunduar dhe në mes të muajit do të mbahet edhe Konventa e Partisë Demokratike të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, sekretari i PDK-së, Basri Musmurati, sipas të cilit gjithçka ka shkuar si mos më mirë.

Ai ka thënë se zgjedhjet kanë përfunduar pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e procesit.

“Në të gjitha degët e Partisë Demokratike të Kosovës tanimë ka përfunduar procesi zgjedhor, e tani pritet të mbahet Konventa e partisë më 16 qershor”, ka thënë Musmurati. Sekretari i PDK-së theksoi se problemet e grushtet ia kanë lënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila gjatë zgjedhjeve në degë jo rrallë është ballafaquar me probleme.

“Grushtet ia kemi lënë LDK-së, nuk kemi pasur incidente kërkund, në degët tona ka pas interesim, ka pasur garë për ta mundur njëri-tjetrin e për të fituar, por gjithçka ka shkuar në kuadër të procesit zgjedhor sikurse është paraparë në statutin e PDK”, ka thënë tutje Musmurati, duke shtuar se në asnjë degë të vetme nuk ka pasur probleme gjatë zgjedhjeve të brendshme. Kujtojmë se deri më tani kandidaturën për të parin e PDK-së e ka bërë të ditur vetëm kryetari aktual i PDK-së, Kadri Veseli.

Derisa procesi i brendshëm zgjedhor i PDK-së ka rikthyer edhe një herë disa prej figurave në krye të Degëve përfshirë Pejën me Xhavit Halitin, Gjilanin me Qemajl Mustafën, Malishevën me Isni Kilajn, Klinën me Sokol Bashotën etj.