Mustafa: Nuk ka kandidatë për kryetar në LDK e as kryetar në largim

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se aktualisht nuk ka kandidatë për kryetar në LDK, por as kryetar në largim, duke lënë të kuptohet se ai do të kandidojë për edhe një mandat tjetër në krye të LDK-së.

“Kandidimet për kryetarë të degëve dhe për Kyetar të LDK-së, sipas Statutit, do të bëhen në Kuvendet e degëve, përkatësisht atë qendror të LDK-së. Tani LDK-ja nuk ka kandidatë për kryetarë e as kryetarë në largim. Zgjedhjet i fillon dhe i kryen LDK-ja duke e respektuar vullnetin e shumicës. Ky vullnet do të dihet pasi të përmbyllet procesi në degë”, ka shkruar ai, përcjell zeri.info.

Kujtojmë që ka filluar procesi i zgjedhjeve të brendshme në LDK ndërsa se do të kandidojë për të parin e këtij subjekti e ka konfirmuar vetëm Lutfi Haziri. Përveç tij, janë përmendur edhe emra si Vjosa Osmani, Agim Aliu, Haki Rugova etj.

Postimi i plotë:

Zgjedhjet e brendshme në LDK synojnë forcimin e mëtejmë të kësaj Lidhjeje, që gëzon besimin më të madh në Kosovë.
Po informohem çdo ditë se kemi një proces të suksesshmë dhe demokratik dhe një interesim të gjerë për anëtarësime të reja në LDK. Fokusimi ynë është në zgjerimin e LDK-së, në zgjedhje të sukseshme në nëndegë dhe në degë. Kandidimet për kryetarë të degëve dhe për Kyetar të LDK-së, sipas Statutit, do të bëhen në Kuvendet e degëve, përkatësisht atë qendror të LDK-së. Tani LDK-ja nuk ka kandidatë për kryetarë e as kryetarë në largim. Zgjedhjet i fillon dhe i kryen LDK-ja duke e respektuar vullnetin e shumicës. Ky vullnet do të dihet pasi të përmbyllet procesi në degë. Prandaj kandidatët i shpall LDK-ja duke respektuar vullnetin e çdonjërit.

Do tu isha mirënjohës gjithë atyre që e respektojnë këtë proces. IM