Mustafa po i bën presion Kurtit: Shko merre mandatin te Presidenti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka pasur dje një kërkesë që ka befasuar paksa Liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Burimet e Reporterit thonë se në takimin e djeshëm, që ka zgjatur rreth 3 orë, Mustafa ka kërkuar nga Kurti që sa më shpejt ta dërgojë propozimin për mandatar të formimit të Qeverisë, tek Presidenti i Kosovës.

“Ka qenë kërkesë e kryetarit Mustafa që të dergohet propozimi dhe të mos humbim kohë, pra të dërgohet propozimi dhe brenda 15 ditëve kohë të vazhdojnë negociatat. Meqë propozimi nuk ka shkuar ende, kryetari Mustafa edhe sot do të kërkojë një gjë të tillë”, kanë thënë burime të Reporteri.net.

Lëvizja Vetëvendosje kishte një afat prej 48 orëve nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për ta dërguar propozimin për mandatar.

Afati skadoi dje në mesnatë dhe VV nuk ka dërguar ende propozim. Sipas tyre, Kushtetua lejon kohë për dërgim të emrit dhe se presidenti nuk mund të caktojë afate.

VV e LDK tash e tre muaj nuk po arrijnë të kenë një marrëveshje për ndarje të posteve në institucione. Posti i presidentit dhe disa ministri kanë bllokuar marrëveshjen. Palet nuk po lëshojnë pe.

Në orën 15:30, sot, në Kuvendin e Kosovës pritet të takohen sërish Mustafa e Kurti. Ky është takimi i 3-të radhazi këtë javë.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, para këtij takimi, tashmë kanë nisur takimet krerët e saj. Është parë para pak minutave të hyjë edhe lideri Albin Kurti.