Mustafa thotë se letra e Kurtit s’kishte qëllim të mirë

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se letra e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, në ditën e fundit të afatit për zyrtarizime të koalicioneve parazgjedhore, nuk ka pasur qëllim të mirë.

Sipas tij, Kurti me propozimin që LDK-së t’i takonte prijësi i listës e VV-së përfaqësuesi i koalicionit dhe kush merr më shumë vota bëhej kryeministër, ka qenë nxitje për garë të brendshme.

“Ne nuk futemi në zgjedhje me bërë garë të brendshme në mes të LDK dhe Vetëvendosjes. Si ide është jo funksionale, totalisht jo funksionale. Nuk mund t’u themi votuesve të LDK-së mos votoni për Albin Kurtin e atyre të Vetëvendosjes mos e votoni Vjosa Osmanin.

Propozimi, letra e hapur që e kanë dërguar nuk ka pasur qëllim të mirë, ajo ka treguar se puna e koalicionit ka përfunduar dhe ne po shkojmë në zgjedhje vetë. Si propozim i tillë edhe ata, edhe ne e kemi ditur që nuk funksionon”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se nëse LDK-ja nuk del e para në zgjedhje, nuk do të kërkojë nga askush postin e kryeministrit.