Nagavci ia lë fajin pandemisë e ndërrimit të Qeverisë për ngeljen në PISA

Kosova ka dalë jashtëzakonisht keq në rezultatet e testit PISA për vitin 2022. Në fund të listës me disa pikë më pak se në vitin 2018, Kosova ka perfomuar keq në shkencë, matematikë e lexim.

Për këtë përformancë të dobët, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, ia ka lënë fajet pandemisë, duke thënë se një gjë e tillë ka qenë e pritshme, për shkak të mungesës së kushteve.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci.