Nagavci: Posti i Presidentit ndryshoi formatin e negociatave VV-LDK

Arbërie Nagavci, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, ka thënë se për postet janë pajtuar paraprakisht me LDK-në, por jo edhe për postin e Presidentit.

“Posti i kryeministrit s’mund të jetë pjesë e marrëveshjeve sepse kështu jemi marrë vesh paraprakisht. Kryeministrin e kanë vendosur qytetarët me votën e tyre. Për pozitën e Kryeparlamentarit, ekziston vendimi i Kushtetueses që thotë se i takon partisë fituese, por ne kemi qenë të gatshëm dhe qëndrojmë pas asaj që të propozojmë Vjosa Osmanin, ose kandidatin që vendos LDK-ja.

Kemi qenë të gatshëm që edhe Zv/kryeministri i Parë të jetë i LDK-së. Edhe për ministritë jemi marrë vesh për bashkëqeverisje”, u shpreh Nagavci në Interaktiv të KTV-së.

Ajo tha se për pozitën e Presidentit do të flasim kur të vjen koha. “Nëse LDK e fut në negocim, atëherë ndryshon formati”, theksoi deputetja e re e Kuvendit.

“Ne besojmë që të do të kemi marrëveshje”, tha Nagavci. “Gatishmërinë tonë, LDK-ja s’duhet ta marrë si të mirëqenë. Por, ne do të respektojmë vullnetin e qytetarëve”.