Ndërron jetë ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright

Ndahet nga jeta Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë. Ajo vdiq në moshën 84-vjeç, ndërsa vdekja e saj u konfirmua në një e-mail drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga vetë Albright.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomati më i lartë i vendit në mandatin e tij të dytë.

Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s , nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.

Ajo ishte imazhi i politikës së jashtme të SHBA-së në dekadën midis fundit të Luftës së Ftohtë dhe Luftës kundër terrorizmit të shkaktuar nga sulmet e 11 shtatorit 2001.