Ndërtimi i shtëpive në veri, i pezullohen punimet pronarit shqiptar

Komuna e Mitrovicës Veriore ka ndërprerë punimet për ngritjen e një shtëpie që për pronar ka një shqiptar, me pretendimin se gjatë gërmimeve afër truallit janë dëmtuar varreza të serbëve. Policia ka nisur hetimet, e pronari thotë se hapësira ku ka punuar, ka qenë rrugë para lufte.

Valon Vehapit i janë ndalur punimet në ndërtimin e shtëpisë në Suhodoll të Mitrovicës Veriore, për ngritjen e së cilës përfitoi subvencion nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Lista Serbe fajësoi Ministrinë për dëmtim të varrezave të serbëve, meqë gjatë gërmimeve për hapjen e rrugës për te trualli, dolën edhe eshtra.

Vehapi ka insistuar se pjesa në të cilën është punuar, është rrugë dhe nuk u përket varrezave.

“Nuk kemi bërë hapje të rrugës, rruga ka ekzistuar qe 35 vjet. Kemi bërë pastrim të rrugës për të arritur tek objekti me i largu gërmadhat nga këtu. Tash unë nuk jam në gjendje t’i vazhdoj punimet, Inspektorati i Komunës së Mitrovicës së Veriut i ka ndalur punimet derisa të kryhen hetimet sepse sa është bërë ose nëse është bërë ndonjë dëm i varrezave”, ka thënë ai.

E, në Komunën e Mitrovicës Veriore kanë thënë se gërmimet nuk është dashur të ndodhin. Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin, ka theksuar se situata tani po shfrytëzohet politikisht nga Lista Serbe.

“Në kuvendin e ardhshëm të cilin do ta mbajmë, unë si kryesues i Kuvendit, do të thirri Policinë, për të marrë një raport, se pse kjo ka ndodhur fatkeqësisht në këtë situatë politike, ku dikush e ka shfrytëzuar për me bë manovra politike. Ne si komunë kemi marrë masat konkrete. Komuna i ka ndalë punimet”, ka deklaruar Ugljanin.

E, në Polici kanë bërë të ditur se tashmë është hapur rast ndaj një personi, për dëmtim të varrezave.

“Policia e Kosovës menjëherë pasi që ka pranuar informatën ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar prokurorin dhe inspektoratin komunal. Pas hetimeve primare në vendin e ngjarjes, janë ndaluar punimet dhe është hapur rast ndaj një personi të dyshuar për dëmtim të varrezave. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.

KOHA ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë në Mitrovicën e Veriut, por ai nuk ka dhënë ndonjë informatë për këtë rast, pasi ka thënë se ndodhet jashtë vendit.

Shtëpia e Valon Vehapit, rindërtimi i së cilës është pezulluar, është djegur gjatë luftës. E këtë vit, Qeveria ka vendosur të mbështesë ngritjen e një numri të shtëpive që ndodhen në veriun e banuar kryesisht me serbë/ koha