Ndihma prej 50 euro i duket e madhe Osmanit: SBASHK-u ta shqyrtojë pakon e Kurtit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe SBASHK-u që të shqyrtojnë pakon e re financiare të prezantuar sot nga kryeministri Albin Kurti.

Osmani në një konferencë për media ka thënë se kjo pako, ndihmon përtej rritjes në pagë, që po e kërkojnë këto sindikata.

“Ndihma është shumë më e madhe, se sa ajo shifra prej 50 (euro), që mund ta ketë parë dikush. Zgjidhja do të gjendet vetëm pasi të miratohet projektligji për paga, ky projektligj, adreson dinjitetshëm çështjen e pagave për mësimdhënësve”, ka thënë presidentja.

Ndërkaq, ajo tha se është informuar nga ministria e Arsimit se janë adresuar kërkesa “përtej” atyre të SBASHK-ut, derisa premtoi se do të angazhohet që projektligji të kalojë sa më shpejtë.

“Zgjidhja mund të arrihet me dialog, assesi me kushtëzime…Asnjë politizim, nuk duhet të lejohet mbi interesin e fëmijëve të Kosovës, asnjë e drejt ligjore, nuk është mbi arsimin e fëmijëve”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, Kurti sot ka prezantuar pakon e re financiare prej 150 milionë euro, e cila sipas shefit të ekzekutivimit është dizajnuar për t’i ndihmuar qytetarët në krizën e inflacionit.

Në një konferencë për media, ai njoftoi se do t’u dalë në ndihmë disa kategorive shoqërore me nga 50 dhe 100 euro, dhe me subvencione për energjinë elektrike dhe sektorin privat.