Nesër protestohet para EULEX-it, shkak bastisjet

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka njoftuar se nesër do të protestojnë kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe EULEX-it, pasi gjatë këtyre ditëve janë intervistuar dhe janë konfiskuar telefonat e disa ish-pjesëtarëve të UÇK’së, shkruan Fokusi.info.

Protesta do të filloj nga ora 12:00.

Klinaku tha se këto intervistime pa paralajmërim po bëhen si në kohën e pushtuesit dhe se institucionet e Kosovës vetëm po heshtin.

“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal.

Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin“, ka shkruar Klinaku.