Nga muaji shkurt rrogat e mjekëve 1600 euro në muaj, konfirmojnë sindikatat dhe qeveria

Nga muaji shkurt i këtij viti mjekët do të paguhen me 1600 euro në muaj ose 100 mijë denar. Kjo është marrëveshja e arritur ndërmjet përfaqësuesve të mjekëve dhe ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë teknike.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vet ministri Venko Filipçe në një konferencë për media, i cili ka thënë se 18 mijë e 300 punëtorët shëndetësorë të marrin pagat me rritje nga muaji shkurt.

Kjo rritje e pagës, tha ai është e treta në dy vitet e fundit, ndërsa e katërta nëse përfshihet edhe rritja e përqindjes së kujdestarisë, shkruan mia.mk, transmeton Gazeta Shneta.

“Ka rritje prej 20 për qind për kuadrin arsimor, për mjekët specialistë në krejt shtetin dhe është paraparë rritje prej 25 për qind, mjekët e përgjithshëm – 15 për qind, motrat medicinale – 10 për qind, bashkëpunëtorët shëndetësor 5 për qind dhe aq për qind për stafin e ndihmës teknike”, ka thënë Filipçe.

Ndërkohë, kryetari i Sindikatit të pavarur në shëndetësi, farmaci dhe mbrojtje sociale, Lubisha Karanfillovski ka thënë se kjo është rritja më e madhe e pagave që ka ndodhur në shëndetësi.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Qendrës klinike, Goran Begoviq ka deklaruar se janë shumë të kënaqur që kanë arrit për stafin e ndihmës- teknike të rriten pagat. /Gazeta Shneta/