Nga “Zajednica nuk do të bëhet kurrë” në “duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit”, Konjufca e përqafon “kancerin e Kosovës”

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se plani franko-gjerman është i pranueshëm për Kosovën, pasi nuk ka Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në të. Por, ai e pranon se në atë plan Kosova e merr një obligimi për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. Dhe meqë këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, sipas tij, duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit.

Kreu i Kuvendit i bëri komentet në një deklarim për Ekonomia Online dhe disa medie të tjera në hollin e Kuvendit të Kosovës.

“Eh pikërisht atëherë, kryeministri Kurti para tre muajsh ka thënë që është bazë e mirë që të vazhdohet më tutje. Nuk e di përse i gjithë ky pluhur kur kryeministri ka thënë se ky plan është i pranueshëm për Kosovën, për arsye se aty nuk përmendet kurrfarë Asociacioni”, tha Konjufca.

“E tëra që mund të aludohet për nënkuptim në atë plan është që marrëveshjet e deritanishme të arritura në dialog. Pra Kosova e merr një farë obligimi për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog, pra në këtë aspekt mund të thuhet eksplicit është referenca e Asociacionit. Por çështja është se këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit”, tha kreu i Kuvendit.

Mirëpo, dikur Konjufca mohonte kategorikisht themelimin e të ashtuquajturës “Zajednicë”.

“Unë mendoj që jo; nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrëfarë Asociacioni – As kësi e as asi – sepse, nëse është Bashkim i Komunave Serbe në çfarëdo mënyre, unë mendoj që nuk duhet të ndodhë kurrë, kështu besoj që edhe do të jetë”, deklaronte ai.