Nis ndërtimi i konviktit dhe mensës në Universitetin e Mitrovicës

Në kampusin e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” sot kanë filluar punimet për ndërtimin e konviktit dhe mensës së studentëve.

Këto dy projekte janë në vlerë prej 6 milionë euro do të financohen nga Ministria e Administratës Publike (MAP).

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Xhelal Smakiqi, kanë vizituar punishten ku kanë filluar të ndërtohen këto objekte, të cilat do të krijojnë kushte jashtëzakonisht të mira për studentë.

Rektori, tha se me këto investime kampusi universitar në Mitrovicë do të jetë ndër më të mirët në rajon.

“Pas ndërtimit të objekteve për fakultete dhe rektoratit, tash ka filluar të ndërtohet konvikti dhe mensa dhe së shpejti edhe fushat e sportit, me çka merr formën përfundimtare kampusi i ri universitar në Mitrovicë”.

Sipas këtij universiteti, konvikti planifikohet të ketë 270 shtretër, ndërsa të dy objektet do të përfshijnë një hapësirë prej 2 mijë metrash katrorë.