Një 2-vjeçar, pacienti më i ri i prekur me koronavirus në Maqedoni

0
223

Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut, pacienti më i ri me koronavirus në këtë vend është një fëmijë dy-vjeçar, ndërsa pacienti më i vjetër është i moshës 91 vjeçe, bëri të ditur Alsat-M.

Në raportin e detajuar ditor të Institutit për Shëndet Publik, thuhet se mosha mesatare e të prekurve me Covid-19, është 42.2 vjet. Plot 23 për qind e pacientëve janë të moshës 30 – 39 vjeç.

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve me koronavirus në Maqedoni (136 persona), 66 pacientë janë të gjinisë mashkullore, kurse 70 janë të gjinisë femërore.

Kolla është simptoma më e zakonshme e të sëmurëve, gati 70 për qind të pacientëve e shfaqin këtë simptomë. Pastaj vjen temperatura e lartë (65.3%), dobësi (31.6%), dhimbje fyti (25.3%), ethe (24.2%) dhe dhimbje koke (24.2%). 41 persona kanë rezultuar pozitiv pa pasur simptoma.

Deri më tash, sipas Institutit, janë infektuar 9 persona nga personeli mjekësor.