Një tjetër kandidat i AAK’së kërkon rinumërim të të gjitha votave

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Hajdar Sutaj, ka propozuar që të rinumërohen të gjitha votat, pas skandalit ku dyshohet se ka pasur manipulime me to.

Zbulimi i video-skandalit të manipulimit të dyshuar me vota, ka rritur presionin pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për “pastrimin” e procesit zgjedhor nga këto pretendime.

Për këtë çështje e ka ngritur sot zërin, Hajdar Sutaj, kandidat për deputet në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Sutaj ka propozuar rinumërimin total të të gjitha votave.

Ai me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se rinumërimi i të gjitha vendvotimeve “do të ishte ideale, dhe e domosdoshme, që legjislatura e re të ndihej kredibile”.

Si pasojë e rinumërimit të shtatë vendvotimeve të cilat i riktheu në rinumërim PZAP’ja, kandidatja e AAK’së për deputete, Meliza Haradinaj-Stublla ra sot nga lista e tetë deputetëve të parë të partisë, të cilët fituan u projektuan si fitues të mandateve në kuvend.

Vendimi për rikthim në rinumërim të shtatë vendvotimeve u mor pas publikimit të një audio-incizimi. Video ngrit dyshime për blerje të votave nga ana e Dardan Stubllës, bashkëshortit të Melizës.

Pretendime këto që i patën ngritur edhe dy kandidatet për deputete të AAK’së, Albana Bytyqi dhe Florentina Gjergjaj.

Ato dyshonin se votat u manipuluan në favor të ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, e cila edhe sipas rezultateve të shpallura nga KQZ e kishte fituar postin e deputetes.