Një vit Qeveri Kurti, sfidë dialogu me Serbinë

Sfida më e madhe për Qeverinë Kurti mbetet dialogu me Serbinë.

Kështu ka thënë për Klankosova.tv, analisti politik, Gazmir Raci, i cili ka theksuar se ai pret që kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe qeveria e tij të jenë më aktive në dialog.

“Nuk po shoh ndonjë dalje nga gjendja e analizimit të situatës, sa i përket dialogut me Serbinë. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të jenë më aktive në dialog dhe të japin ide dhe sugjerime se si duhet të shkohet drejt marrëveshjes finale. Dhe arritja e një marrëveshje sa më shpejtë me Serbinë, i hap perspektivë edhe më të qëndrueshme zhvillimit ekonomik. Gjithashtu, liberalizimi i vizave do të mund të ndodhte më shpejt për qytetarët e Kosovës”.

Njëvjetori i Qeverisë Kurti, sipas Racit, ka qenë një vit me plot sfida, derisa ai ka renditur edhe disa nga arritjet e kësaj qeverie.

“Në fillim të mandatit të ri, sfida e parë ka qenë për sigurimin e vaksinës për shkak se Kurti e mori qeverisjen pa kontrata për vaksinim dhe pastaj arriti të vaksinojë mbi 50 % të popullsisë. Kjo është për mendimin tim e arritura kryesore gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë që pati edhe probleme të theksuara në qeverisje, sidomos në ballafaqim me valët e COVID-it, siç ishte ai gjatë verës ku mori shumë jetë njerëzish në Kosovë”.

Raci thotë që aty pati çalime të mëdha.

“Sidomos Ministria e Shëndetësisë e cila nuk arriti të menaxhojë gjendjen. E arritur tjetër e rëndësishme që vlen të përmendet është lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Kemi parë shumë aksione të policisë. Kjo u bë edhe falë hapjes së dosjeve dyshuese tenderuese nëpër institucione dhe në ministri dhe arriti që të kemi disa aksione të policisë së Kosovës. Këto Kosovën e renditën edhe më mirë në ranglistën e shteteve që e luftojnë korrupsionin”.

“Qeveria Kurti ka pasë sfida edhe në kuadër zhvillimeve të luftës në Ukrainë, për shkak të ndikimit që ka pasë ajo në rritjen e çmimeve; si tek produktet ushqimore dhe të karburanteve. Këtu mendoj që disa ministri të linjës kanë dështuar për të qenë në hap me kohën, sa i përket menaxhimit të situatës. Për këtë arsye, unë kam propozuar që qeveria Kurti në vitin e dytë të mandatin duhet të riformatizohet dhe të sjellë energji të reja, frymë të re, në mënyrë që të ecet më shpejt drejt arritjes së qëllimeve të saj që kanë të bëjnë me zhvillimin socio-ekonomik të vendit”, tha ai.

Ndryshe, sot dy partitë opozitare PDK e LDK e kanë quajtur të paaftë Qeverinë Kurti e cila sipas tyre u ka sjellur vetëm dëme qytetarëve.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha sot se ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjeshtë performanca e dobët në realizimin e objektivave të saj, por është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se në planin e brendshëm Qeveria Kurti është arrogante, derisa në atë të jashtëm, në dialogun Kosovë-Serbi ishte e papërgatitur.

Edhe Partia Socialdemokrate ka kryer një aksion simbolik në njëvjetorin e Qeverisë Kurti.

Para hyrjes së objektit të Qeverisë, të martën, vendosën një tortë të improvizuar, me mbishkrimin në anglisht “Le të hanë tortë”.