Njëri vëlla i Dugollëve i del kundër Kurtit, thotë se shtyrja e vendimit për targat është fitore e Rakiqit

Vëllai i vëllezërve Dugolli, Gafurr Dugolli ka reaguar pasi që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për sekuencim të vendimit për targat, ku nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë vetëm qortim për pronarët e veturave që do të kenë targa ilegale, nga 21 nëntori deri më 21 janar gjobë, nga 21 janari deri më 21 mars do të ketë targa provuese.

Dugolli, i cili punon edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, në një posti në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se shtyrje e vendimit për moslejimin e targave të Millosheviqit është fitore e Rakiqit.

“Shtyerja e vendimit për mos lejimin e targave të Milloshevićit është fitore e Rakićit pasi ai kërcënoi me bllokim të rrugëve. Pse bre po folni kur s’mund ta mbani?”, ka shkruar ai.

Sekretari Antony Blinken është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila ka refuzuar t’i respektojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për të shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për targat.

Blinken i ka thënë mediumit The Pavlovic Today se Kosova ka të drejtë që ta implementojë vendimin nën Marrëveshjen e Brukselit, por se kërkesa që të shtyhet afati, u refuzua nga kryeministri Kurti.

Shtetet e Bashkuara thanë se së bashku me faktorin ndërkombëtar kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e Bashkimit Evropian që Kosova të shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj./Demokracia.com/