Njoftim i Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin e kërkim-shpëtimit të FSK-së në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka bërë të ditur se gjatë tërë natës njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka vazhduar operacionin e kërkim-shpëtimit në Shqipëri.

Përmes një njoftimi, ministria ka bërë të ditur se kërkimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.

“Njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë vazhduar gjatë tërë natës pa ndërprerë e po vazhdojnë edhe tani me operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

Në mëngjesin e djeshëm Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitutë 6.4 shkallë.

Ky tërmet që epiqendrën e kishte në Durrës, ka pasur dëme të mëdha edhe në Thumanë me ç’rast deri më tani kanë ndërruar jetë 26 persona ndërsa mbi 600 persona janë duke u trajtuar në Spitalin e Traumës.