Nuk mjaftoi demarkacioni, Specialja e as arrestimi i ish krerëve të UÇK-së, Koci tregon skenarin për liberalizimin e vizave

0
212

Avokati Arianit Koci ka komentuar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, derisa ka përmendur rastin e Kroacisë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kroacisë në prag të pranimit në BE ia kishin vënë kusht që ta arrestonte njeriun më me ndikim në shoqërinë kroate – ish-kryeministrin Ivo Sanader dhe pas arrestimit, ajo u pranua.

Koci ka thënë se për Kosovën po shkon më rëndë, derisa për liberalizim të vizave, nuk mjaftoi as demarkacioni, as votimi i Gjykatës Speciale – e as arrestimi i ish-presidentit dhe ish-kryeparlamentarit.

Më tej, ai ka shtuar se liberalizimin e vizave duket se do ta përdorin si karrem për marrëveshjen finale me Serbinë.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

No pasaran!

Kur Kroacia ishte në prag të pranimit në BE, ia patën vënë kushtin implicit që ta luftojnë korrupsionin – në rastin konkret ta arrestojnë njeriun më me ndikim në shoqërinë kroate – ish-kryeministrin Ivo Sanader.

Pas arrestimit, Kroacia u pranua.

Te rasti i Kosovës, krejt po shkon më rëndë!

Pazari ka rënë shumë – kryesisht për shkak të politikanëve tanë të paaftë.

Për liberalizim të vizave, nuk mjaftoi as demarkacioni, as votimi i Gjykatës Speciale – e as arrestimi i ish-presidentit dhe ish-kryeparlamentarit, që njëherësh ishin edhe një ndër themeluesit e UÇK-së.

Nuk mjaftuan as shumë lëshime që ia bëmë Serbisë.

Disa mund të thonë që të lartcekurat, nuk kanë lidhje me liberalizim.

Kanë që ç’ke me të!

Sidoqoftë, liberalizimin e vizave si duket do ta përdorin si karrem për marrëveshjen finale me Serbinë.

Kemi nevojë për liberalizim të vizave, por jo në dëm të interesave tona shtetërore.

Këtë besoj që e kanë kuptuar të gjithë.