Nuk përballoi dot dhimbjen, ndërron jetë në drekën e varrimit anëtarja e 9-të e familjes Lala

Rëndohet bilanci i tragjedisë në familjen Lala, në zonën e ish-Kënetës, në Durrës, që ishte dhe një ndër familjet më të prekura të tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, duke e çuar në 9 numrin e të vdekurve.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se ka ndërruar jetë një tjetër anëtare e kësaj familjeje, e cila humbi tragjikisht tetë anëtarë të saj nën rrënojat e tërmetit.

Bëhet fjalë për shtetasen Fiqerete Lala, që është nusja e djalit të madh të familjes Lala. Ajo ka ndërruar jetë në drekën e varrimit të 8 anëtarëve të familjes së saj, pasi nuk e ka përballuar dot dhimbjen e madhe.

Tetë anëtarët e familjes Lala që u shuan nga tërmeti tragjik

1. Amelia Lala 8 vjeç – Vila në Kënetë

2. Sahadete Lala 79 vjeç – Vila tek Këneta (Gjyshja dhe mbesa)

3. Griselda Lala- 22-vjeç – Vila tek Këneta

4. Marjeta Lala 31 vjeç

5. Emilio Lala

6. Enis Lala 2 vjeç

7. Dionisa Lala 2 vjeç – binjakë (Nëna dhe tre fëmijët) në Vilën në Kënetë

8. Ilir Lala, (i paralizuar) 52 vjeç i fundit qe u nxorr nga vila 4 kateshe ne kenete

(BalkanWeb)