Nuk zbatohet vendimi i qeverisë në Prishtinë, qytetarët lëvizin lirshëm

Qeveria e Kosovës, të hënën mbrëma ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes së lirë.

Pavarësisht se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të martën mbrëma për kufizim të lëvizjes së lirë si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit, qytetarët nuk po e zbatojnë një vendim të tillë.

Në bazë të këtij vendimi nga ora 10:00 e deri në orën 16:00, ndalohet lëvizja e lirë nëpër qytet, po ashtu qarkullimi do të jetë i ndalur po ashtu edhe nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Mirëpo një vendim të tillë nuk po e zbatojnë qytetarët.

Fotografitë që janë dërguar në adresë të lajmi.net, shihet se në ora 10:15 në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, në afërsi të Kuvendit të Kosovës, qytetarët lëvizin lirshëm.

Madje shihet se disa qytetare janë duke ecur dhe vetëm njëra prej tyre ka vendosur maskë në fytyrë.

Se vendimi i Qeverisë nuk po zbatohet, e ka ngritur këtë shqetësim edhe analisti politik, Imer Mushkolaj.

Ai ka postuar një video në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ku shihen veturat duke qarkulluar normalisht në Prishtinë në një pjesë të qytetit.