Oferta e fundit e LDK-së, flasin nga VV, a do ta pranojnë?

Edhe pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 6 tetor, dy partitë e para, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike të Kosovës ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion, pavarësisht takimeve të shumta.

Koalicioni ka mbetur pezull për shkak të ndarjes së posteve, saktësisht për postin e Presidentit, ku LDK-ja po kërkon që përveç 5 ministrive dhe postit të kryeparlamentarit, të marrë edhe Presidentin, për të cilin duhet të pritet deri në vitin 2021.

Një propozim për Lëvizjen Vetëvendosje e ka dhënë deputeti i zgjedhur i LDK-së, Shkëmb Manaj, duke bërë një krahasim të ndarjes së pushtetit nga koha e presidentit historik Ibrahim Rugova, ku partia e parë që ka qenë LDK e ka pasur postin e të parit të shtetit dhe kryetarin e Parlamentit.

“LDK në kohën e Ibrahim Rugovës në vitin 2001, si partia e parë ka pasur 47 deputetë, ndërsa partia e dytë (PDK) ka pasur 26 deputetë, 21 deputetë me pak se LDK. Në këtë kohë, LDK ka udhëhequr Parlamentin dhe Presidencën, ndërsa Kryeministrin e ka pasur partia e dytë e cila i ka pasur 21 deputetë me pak se partia e parë.

Tani VV ka 29 deputetë si partia e parë dhe LDK ka 28 deputetë si partia e dytë, diferenca është vetëm 1 deputet. Nëse z. Haki Abazi, ju ka ba marak që ky kombinim të jetë model i ndarjes së përgjegjësive shtetërore tani, atëherë LDK e ka dhënë edhe këtë ofertë që LDK si partia e dytë ta marr Kryeministrin, ndërsa VV si partia e parë ta merr Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit (edhepse nuk i ka 47 deputetë sa i ka pasur LDK kur i ka pasur këto dy pozicione).

Nëse doni kështu, nesër e arrijmë këtë marrëveshje!”, ka shkruar Manaj.

I kontaktuar nga Periskopi, deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi ka thënë se nuk mund të merren shembuj nga e kaluara për të formuar Qeverinë tani. Ai tha se nuk e njeh Shkëmb Manajn, por që kjo nuk është çështje pazaresh.

“Mendoj që ka vendos votuesi për punën e kryeministrit, ka vendos votuesi për këtë, nuk janë çështje pazaresh është respektim i vendimit të votuesit, sovranit.

Ky është problemi që nuk mundet mu krahasu Vetëvendosje me asnjërën nga subjektet politike të së kaluarës, ato që kanë ndodh në të kaluarën kanë qenë marrëdhënie e raporte të tradhtisë së ndërsjelltë, ku zakonisht PDK-ja i ka bë gjithmonë, edhe kjo është arsyeja që asnjëherë nuk kemi pas qeveri që e ka përfundu mandatin.

Nuk mundem me e komentu atë deklaratë për shkak se drejt me të thanë nuk e njoh atë djalin”, u shpreh Abazi.