Opozita konfirmon se ka pranuar draft-statutin e Asociacionit

Opozita ka konfirmuar se ka pranuar draft-statutin e Asociacionit.

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se dje e ka marrë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lajmin për Front Online e ka konfirmuar zëdhënësi i këtij subjekti, Faton Abdullahu.

“Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Abdullahu për Front Online.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë konfirmuar se një kopje e draft-statutit të Asociacionit u është dorëzuar dje në gjuhën angleze.

“Përfaqësuesesi i Zyrës së Bashkimit Evropian na ka dorëzuar dje një kopje të draft-statutit”, ka thënë nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri pwr Front Online.

I pyetur se kur pritet që të japin komentet e tyre si parti rreth këtij drafti, ai ka shtuar se dokumentin dëshirojnë ta shohin prej kryeministrit Albin Kurti.

“Pse duhet me dhënë ne komente. Ne dokumentin dëshirojmë me pa prej kryeministrit sepse dokumenti validitetin dhe seriozitetin e ka te kryeministri”, ka shtuar ai.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar se kanë pranuar një kopje në gjuhën anglezë të draft-statutit të Asociacionit nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili ka thënë për Front Online se kopja u është dorëzuar dje.

Kurse, komentet për këtë dokument do t’i shpalosin pas diskutimeve në organet e partisë.

“Mund të ju konfirmoj që dje na është dorëzuar një kopje e draft-statutit të Asociaiconit, në gjuhën angleze. Ndërsa, komentet tona për këtë dokument do t’i shpalosim pas diskutimeve në organet e partisë”, ka thënë Xhemaili, për Front Online.