Opozita në Beograd kërkon përgjegjësi nga Vuçiq për sulmin në Banjskë

Opozita në Beograd kërkon përgjegjësi nga Vuçiq dhe institucionet e tjera për sulmin e serbëve më 24 shtator. Ata thanë se nëpërmjet një komisioni hetimor do të sqarohet gjithçka.

Pas sulmit në Banjskë u krijuan rrethana të reja, thonë deputetët e opozitës parlamentare pro-evropiane, duke kërkuar që presidenti i Serbisë të raportojë pas ngjarjeve në Banjskë, si dhe formimin e një Komisioni Hetimor, për t`i sqaruar ngjarjet.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm sa e papërgjegjshme është kjo qeveri për një dekadë tani, prandaj kërkojmë një komision hetimor, por edhe seancë parlamentare, sepse nuk kemi asnjë raportim, kur të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare po diskutojnë për ngjarjet në veri të Kosovës. Duhet të përcaktohen të gjitha rrethanat e asaj që ndodhi në Banjskë, si do të vazhdojë të veprojë shteti dhe çka mund të bëjmë për ta parandaluar përshkallëzimin e dhunës”, u shpreh Tatjana Manojlloviq nga Deputete e Partisë Demokratike.

Për opozitën pro-evropiane, interesat shtetërore janë shkelur, sepse Serbia tani po përballet me akuza për financim të terrorizmit dhe me mundësinë e vendosjes së sanksioneve. Sipas opozitës, rasti Radojiçiq është një farsë e gjyqësorit serb dhe besojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, edhe nëse nuk e dinte se Banjska do të ndodhte, është përgjegjës.

“Natyrisht, Milan Radoiçiq duhet të mbajë përgjegjësi, por ne duhet të dimë nëse presidenti i Serbisë, si negociator kryesor, qëndron pas këtij përshkallëzimi të dhunës. Duhet të dimë gjithashtu nëse ai është përgjegjës, edhe nëse nuk e ka ditur se çfarë po ndodh, pasi kjo do të thotë se nuk ka kontroll fare. Kjo ndodh pikërisht sepse ai ishte i rrethuar me njerëz të botës kriminale, mbi të cilët bazoi çdo politikë të tij, po ashtu edhe politikën e Kosovës”, tha Robert Kozma, deputet i Frontit të Gjelbër-Majtas.

Derisa opozita pret përgjigje për pyetjet si ato për armët, kush e dinte e kush mori pjesë, thekson se ngjarjet në Banjskë përfaqësojnë një nga krizat më të mëdha ndërkombëtare që është gjetur Serbia, që nga ardhja e Vuçiqit në pushtet./rtk